Elbasani feston 107 vjetorin e pavarësisë, Llatja: Krenarë që vendosëm gurin e parë të themelit të pavarësisë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/- Elbasani festoi sot 107 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së qytetit me një ceremoni të organizuar pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm, deputetët e Elbasanit, Taulant Balla, Evis Kushi, Arben Kamami, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, përfaqësues të pushtetit lokal, etj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja, vlerësoi e nderoi kontributin e 35 patriotëve firmëtarë të aktit të parë të mëvetësisë që parapriu atë të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 nëntor 1912.

“Kemi rastin të shprehim me krenari që jemi qyteti i parë që vendosëm gurin e parë të themelit të pavarësisë së vendit tonë”, tha ndër të tjera Llatja.

Më 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie.

Në kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit.

Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare. Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta.

Pavarësisht sesi do të rridhnin ngjarjet më vonë, Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.