FOTOGALERI/ Bullgaria zgjedh Tiranën për takimin e 15-të botëror të medias, Krasniqi: Zbuloni Shqipërinë turistike

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) dhe Shoqata e Medias Bullgare organizuan në Tiranë, takimin e 15-të Botëror të Medias Bullgare (23-25 ​​nëntor) me temë “Media dhe Prioritetet Kombëtare”.

Në hapje të këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Bullgare të Lajmeve (BTA) Maxim Minchev tha se “kjo është hera e 15-të që ne kemi pasur mundësinë të diskutojmë çështje të rëndësishme që lidhen me profesionin tonë, për mediet bullgare në vend dhe në mbarë botën, çështje që lidhen me të ardhmen dhe veçantitë e zanatit tonë dhe për atë që po ndodh në vendin tonë”.

Në vijim, ambasadori bullgar në Shqipëri, Momchil Raichevski përshëndeti të pranishmit në emër të ministres së Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATA), Armela Krasniqi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti tepër të rëndësishëm në Tiranë, ndërsa i ftoi të pranishmit në këtë konferencë të zbulojnë potencialet turistike të Shqipërisë.

“Shpresoj shumë që do të mund të zbuloni Shqipërinë dhe do të mësoni më tepër rreth traditave, trashëgimisë kulturore, si dhe natyrisht, edhe kuzhinën shqiptare. Kur diskutuam fillimisht me Maksimin rreth kësaj iniciative në cilësinë e dy agjencive partnere të lajmeve, më lindi ideja se edhe Shqipëria mund të organizojë një takim si ky”, – tha Krasniqi.

Drejtoresha e ATSH-së u shpreh se “duhet ta përsërisim këtë iniciativë me Kongresin Botëror të Medias Shqiptare me Kosovën”.

E pranishme në këtë takim zëvendësministrja e Turizmit të Bullgarisë, Elena Georgieva tha se “takimi Botëror i Medias Bullgare është një platformë e shkëlqyeshme për të promovuar  arritjet në sfera të ndryshme, përfshirë turizmin”.

Si pjesë e hapjes u shfaq një dokumentar me titull “Bleni ca shpresë” (me regji nga Galina Kraleva) rreth artistes bullgare me origjinë shqiptare Lika Yanko.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtuesit e agjencive të lajmeve të Ballkanit, të cilët ndodhen në Tiranë për konferencën “Media & Tourism, Ideas & Solutions” të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA-SEE).

Një arsye pse Shqipëria u zgjodh për të pritur takimin është se në Shqipëri jetojnë pakica bullgare.

Takimet e mëparshme botërore të medieve bullgare janë mbajtur në Sofje, Çikago, Romë, Madrid, Varna dhe Burgas, Vjenë, Amsterdam, Bukuresht, Plovdiv dhe Veliko Turnovo, Bosilegrad dhe Caribrod (Dimitrovgrad), Athinë, Pragë, Kishinev dhe Shkup. /p.s.//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.