Finalizohet operacioni “Your Turn”, në pranga 4 shtetas

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi operacionin “YOUR TURN”, duke vënë në pranga 4 shtetas për veprimtari kriminale në fushën e shfrytëzimit për prostitucion.

Pas një hetimi gati 1-vjeçar, Policia finalizoi me sukses operacionin duke vënë në pranga 4 shtetas, ndërsa procedoi në gjendje të lirë dy shtetase.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, në ambientet e një hoteli në autostradën “Tiranë-Durrës“ u arrestuan shtetasit: H. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”;  A. Gj., 47 vjeç, banues në Mamurras-Kurbin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Po ashtu, Policia arrestoi edhe shtetasit: A. B., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”; A. N., 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Kanada, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Në kuadër të këtij operacioni ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetase, 20 e 32 vjeçare banuese në Tiranë, të dyshuara për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

“Nga hetimet e deritanishme të kryera rezulton se shtetasi H. N., siguronte femra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotele kundrejt përfitimit monetar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa shtetasja A. B., nëpërmjet qendrës së saj estetike fillimisht punësonte femra si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ka patur edhe shumë raste të tjera, ndërsa po punohet për dokumentimin e tyre.

Materialet e para procedurale ju përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prostitucion’’ dhe ‘’Shfrytëzimi i prostitucionit’’./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.