Buxheti 2020, Shahini: Investime në mbi 75 shkolla dhe zgjerim i politikës së librave falas

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Buxheti 2020 mbështet investimet infrastrukturore në mbi 75 shkolla, prej të cilave përfitojnë 30 mijë nxënës.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini duke publikuar disa prej zërave kryesorë të buxhetit 2020 për arsimin.

Sipas saj, buxheti 2020 parashikon po ashtu edhe përfshirjen e klasave VI dhe VII në politikën e librave falas. Nga kjo, tha Shahini, “përfitojnë 250 mijë nxënës”.

Po ashtu, në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohen edhe 1050 mësues ndihmës në shkolla.

“Buxheti 2020 parashikon rritjen e investimeve në sport, si dhe vullnetarizimin e të rinjve dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje”, tha ministrja Shahini.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.