Zv.drejtori i MIA-s, Ajdini: Mundësi të mëdha për të nxitur turizmin në Ballkan

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – Halit Ajdini, zv/drejtor i agjencisë së lajmeve MIA nga Maqedonia e Veriut, gjatë konferencës “Media & Tourism – Ideas & Solutions”, organizuar nga ATSH në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA-SEE), u shpreh se vendet e rajonit kanë ngjashmëri të madhe, janë shumë pranë njëri-tjetrit e si të tilla duhet të bashkëveprojnë për të mirën e përbashkët.

“Ne jetojmë shumë afër njëri-tjetrit, në një rajon. Edhe në fytyrë jemi njësoj, ngjajmë nga pamja fizike, duhet ta duam njëri-tjetrin, sepse nëse nuk duam komshinjtë, nëse nuk duam njëri-tjetrit, si do të na dojë Zoti,” u shpreh ai.

Ajdini tha se bashkëpunimi në fushën e turizmit do të ishte një oportunitet i madh për vendet tona.

“Ne duhet të krijojmë e-book, apo itinerare online për pushimet. Për një gjë të tillë ne kemi biseduar në Selanik. Në rajonin e Ballkanit mund të udhëtosh për 8 orë. Ballkanasit e njohin njëri-tjetrin mirë, sepse kanë të njëjtën fytyrë, janë vende të vogla. Pra kemi mundësi të mëdha veçanërisht për të nxitur turizmin. Maqedonia e Veriut nuk ka det, por kemi afër Shqipërinë që ka dalje në det. Ama ne kemi qendra për ski, pra mund të ndërveprojmë me njëri-tjetrin,” deklaroi ai.

Por, nga ana tjetër, ai tha se agjencitë kanë nevojë edhe për mbështetje financiare nga qeveritë në mënyrë që të ndihmojnë në këto fusha.

“Qeveria duhet të kujdeset për ne si agjenci të na japë më shumë para që ne të bëjmë dhe një pjesë të punës së tyre, pse jo. Duhet të komunikojmë me miqtë, sesa të jemi vetëm,” e mbylli fjalën e tij Halit Ajdini, zv.drejtor i agjencia së lajmeve të Maqedonisë së Veriut, MIA.

Konferenca e titulluar “Media&Tourism, Ideas&Solutions” u organizua nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe synon të krijojë kanale të reja bashkëpunimi për promovimin e turizmit në rajonin e Ballkanit. /a.sh./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.