Rritja e parametrave të sigurisë rrugore/ Specialistët për ATSH-në: 197 aksidente më pak se në vitin 2018

TIRANË, 23 nëntor/ ATSH- Arbi Fortuzi/ Parametrat e sigurisë rrugore janë përmirësuar, falë dhe masave të marra nga Drejtoria e Policisë Rrugore.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka zhvilluar një vëzhgim të punës së Policisë Rrugore gjatë një dite në zonën e Thumanës. Gjatë vëzhgimit më shumë se 14 leje drejtimi u pezulluan për kapërcim shpejtësie. Rekord mbajti një Audi A3, i cili po udhëtonte me shpejtësi 212 km/h, ndërsa në segmentin në fjalë shpejtësia e lejuar ishte 90 km/h.

Simon Mice, Specialist i Sigurisë Rrugore, pranë Policisë së Shtetit theksoi gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se duke parë 10-mujorin e këtij vitit mund të themi se situata e aksidenteve është në shifrat 1 425. “Nga këto kemi 182 të vrarë, 221 të plagosur rëndë, dhe 1310 të plagosur dhjetë. Po të krahasojmë me vitin e shkuar 197 aksidente më pak se vitin e shkuar. Kemi shifra të rritura me pasoja të vrarë me 14, por kemi kemi shifra në ulje të aksidenteve me plagosje të rënda dhe të lehta”-, tha Mice.

“Situata në përgjithësi po monitorohet nga shërbimi i policisë rrugore dhe nga drejtoria qendrore e policisë së shtetit, në akset Lezhë, Fier, Elbasan dhe Tiranë me masa të përqendruara me kontrolle të elementeve të shpejtësisë dhe përdorimi alkoolit”-, tha Mice.

“Ka një mirëkuptim nga përdoruesit e rrugës për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Plani kontrolli po bëhet në akset “Lezhë-Durrës”, “Durrës-Elbasan” dhe brenda për brenda Tiranës, që po monitorohet nga komisariati vendor i Policisë Rrugore. Tani nis dhe sezoni i dimrit dhe janë marrë masat me kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve për hedhjen e skorjes për dëborën dhe gjithashtu bëjmë thirrje për drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në udhëtimet e tyre në zonat malore kur ka prezencë dëbore”-, theksoi Mice.

“Kjo është një pikë kontrolli në autostradën Milot-Thumanë dhe po monitorohet shpejtësia në autostradë. Në një periudhë prej tre orësh janë tërhequr 14 leje drejtimi, ndërsa kanë marrë dhe masa të tjera për ato mjete që kanë tejkaluar shpejtësinë deri në 20 km/h më shumë. Për që kalojnë shpejtësinë 20 km/h mbi nivelin e lejuar u hiqet leja e drejtimit. Në rast se mjeti nuk ndalon, mjeti shpallet në kërkim dhe të gjitha njësitë vihen në kërkim të mjetit të identifikuar dhe fotografuar”-, përfundoi Mice.

Specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ka ulje të aksidenteve rrugore në krahasim me vitet e shkuara, që vjen për shkak të rregullimit të infrastrukturës rrugore, ku janë vendosur me korrektësi të gjitha tabelat, si vertikale dhe ato horizontale”

“Aksidentet vijnë për tre arsye, infrastruktura rrugore, automjetet jo të sigurta dhe faktori njeri. Kemi drejtues mjetesh që nuk zbatojnë në maksimum rregullat e qarkullimit, po ashtu kanë automjete jo gjithnjë të sigurta, ndërsa dhe infrastruktura rrugore jo gjithnjë është në nivelin e duhur”-, tha Ziçishti.

“Policia Rrugore në Shqipëri në të gjitha akset rrugore po punon vrullshëm dhe ka marrë dhe masa shtesë, si në sezonin turistik që kaloi, dhe në sezonin dimëror që po afrohet. Natyrshëm që duhet edhe më shumë punë për të rritur edhe më tej nivelin e sigurisë në rrugë. Unë i bëj thirrje drejtuesve të mjeteve që nëse shkojnë në zonat malore, ku mund të ketë dhe borë duhet të kenë kutinë e ndihmës së shpejtë dhe zinxhirët e gomave, për të mënjanuar çdo problematikë që mund të hasin”-, tha më tej Ziçishti. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.