Fiskalizimi, Lera për ATSH-në: Nuk ka taksë të re, por garanton derdhjen e të ardhurave tatimore në buxhet

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Qeveria synon që përmes reformës së fiskalizimit të ulë evazionin në ekonomi duke gjurmuar në kohë reale çdo transaksion që kryhet mes bizneseve dhe konsumatorëve.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Niko Lera në një intervistë për ATSH-në shprehet se ligji për fiskalizimin që do të nis zbatimin vitin që vjen nuk është një taksë e re fiskale mbi qytetarët, por është një formë e re e evidentimit të qarkullimit nga çdo tatimpagues dhe e transmetimit të të dhënave mbi veprimtarinë ekonomike në serverat e administratës tatimore.

Ne, shprehet Lera, gjatë 3-4 vite viteve të fundit kemi bërë shumë ndryshime që kanë synuar uljen e barrës fiskale për qytetarët, por edhe për kategori të caktuara operatorësh ekonomik me qëllim stimulimin e sektorëve kyç të ekonomisë sonë sikurse turizmi, bujqësia, agroturizmi, IT, etj.. Tani, thekson ai do të hymë në fazën ku duhet të masim efektet ekonomike e financiare që kanë dhënë këto masa.

Për vitin 2020, risia themelore është në fushën administrative dhe është Ligji i Fiskalizimit.

“Nuk është taksë e re. Nuk është një barrë e re fiskale mbi qytetarët, por është një formë e re e evidentimit të qarkullimit nga çdo tatimpagues dhe e transmetimit të të dhënave mbi veprimtarinë ekonomike në serverat e administratës tatimore, në mënyrë që kjo e fundit, në kohë reale të masë të ardhurat, të auditojë qarkullimin, në mënyrë që të garantojë derdhjen e pjesës së ndershme të tatimit në buxhetin e shtetit nga çdo individ apo biznes”, – deklaroi Lera.

Synohet, tha ai, përmirësimi i administrimit tatimor dhe mbledhja në buxhet e çdo të ardhure që në mënyrë ligjore duhet të jetë e ardhur tatimore në buxhetin e shtetit.

“Nëse vende të tilla si Kroacia, Italia apo vende të tjera të Europës Perëndimore që krahasuar me Shqipërinë kanë nivel më të lartë të pajtimit me tatimet, kanë nivel shumë më të lartë të respektimit të ligjit dhe pagimit të detyrimeve ligjore, janë vende që arkëtojnë në buxhet 35% të produktit të brendshëm bruto, ndërkohë që ne jemi në nivelin e 27% të PBB-së, pra kanë të ardhura të bollshme tatimore, fusin elementë të tillë fiskalizimi si fatura elektronike ose transmetimi i të dhënave në mënyrë on line, çfarë duhet të bëjë Shqipëria”, – shprehet Lera.

Nëse këto vende, thekson ai, implementojnë masa të tilla, ne e kemi 2-3 herë më të domosdoshme t’i implementojmë ato në kuptimin e rritjes së transparencës dhe pagimit në buxhetin e shtetit të asaj takse që është e vendosur me ligj.

Sipas Lerës, fiskalizimi do të jetë objektivi kryesor i administratës fiskale në vitin 2020 dhe në vijim, sepse projekti është 2-3-vjeçar dhe do të vijojë edhe në 2021 e në vijim. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.