Turneu kombëtar i shkollave 9-vjeçare “Cappy Cup” drejt fazës së 1/8

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ – Turneu kombëtar i shkollave 9-vjeçare, “Cappy Cup”, ku marrin pjesë 2000 djem dhe vajza për 6 rajonet e Federatës Shqiptare të Futbollit, pas afro 1 muaj e gjysëm, ka përfunduar të gjitha ndeshjet sipas rajoneve, dhe tani do të fillojë faza e 1/8.

Rajoni Tiranë përfaqësohet me 2 skuadra. Rajoni Fier po ashtu me 2 skuadra, ndërsa rajonet Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Korçë, me nga 1 skuadër.

Faza e 1/8 do të zhvillohen me përafërsi gjeografike për të lehtësuar zhvillimin e tyre në kohë.

Sipas informacioneve të grumbulluara nga përgjegjësit e Zyrave Rajonale të FSHF-së, përfundimi i ndeshjeve në grupe ka shkuar më së miri.

Interesimi i shkollave, por edhe i fëmijëve ka qenë shumë i kënaqshëm. Në përfundim të fazës së 1/8,  në datën 27 nëntor do të zhvillohen gjysmë finalet për “Cappy Cup”. Ndeshjet do të luhen në qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Vlen të përmendet se Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, kanë mbështetur iniciativën e “Cappy Cup”, për përhapjen dhe masivizimin e futbollit nëpër shkolla.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.