Shkarkimi i Muçit/ Meta shpall dekretin për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta shpalli dekretin për plotësimin e vakancës së parakohshme të krijuar, për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit një ditë më parë të anëtarit të kësaj Gjykate Besnik Muçi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Më herët ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e Besnik Muçit nga anëtarët e kësaj gjykate duke e lënë atë me vetëm 4 anëtarë.

Meta e konsideron këtë vakancë të parakohshme, të krijuar për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, ndërkohë që dekreti i Metës hyn në fuqi menjëherë.

Vetëm një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Besnik Muçin, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e tij nga faqja zyrtare.

Gjithashtu, Gjykata kushtetuese mësohet se ka njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar pas hapësirës së krijuar nga largimi i Muçit.

Tashmë, procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri që do të zëvendësojë Muçin nis sërish duke parë se Gjykata aktualisht është me 4 anëtarë. /j.p/

Dekreti i Presidentit Meta
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.