Mblidhet komisioni hetimor për shkarkimin e Metës, Manja: Jemi drejt fundit

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Komisioni i posaçëm hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit Meta, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, administroi sot opinionin paraprak dhe opinionin final të ardhur nga Komisioni i Venecias.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme u shqyrtua edhe informacioni i ardhur nga Presidenti i Republikës, duke respektuar rregullat e përcaktuara në Ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror”.

Kreu i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se, “kam në dorë informacionin e klasifikuar sekret dhe anëtarët që kanë certifikatën e sigurisë kanë të drejtë të njihen me informacionin”.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor, Alban Zeneli kërkoi që të merret një vendim duke qenë se të gjitha informacionet për veprimet e Metës janë mbi tryezë.

“Mund të rishikojmë që sot. Të jepet një mendim i prerë, nëse e ka shkelur apo nuk e ka shkelur Meta Kushtetutën. Por ju po kërkoni kohë. Të merren në shqyrtim të gjithë informacionet e të dilet në një vendim”, tha Zeneli.

Manja u shpreh se, “bashkohem me mendimin tënd. Ne jemi drejt fundit. Alimadhi më tha se duhet të njihemi me vendimin. Do të jetë një kohë e shkurtër”.

Mbledhja pas prezantimit të rendit të ditës, ka vijuar pa praninë e medieve për shkak të përmbajtjeve sekrete që do të shqyrtohen.

/gj.mima//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.