Krasniqi ndan me studentët rrugëtimin mes gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Zina Tosku/ Me një rrëfim të thjeshtë dhe të ndjeshëm, Drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi ndau rrugëtimin e saj profesional mes gazetarisë dhe drejtueses së Marrëdhënieve me Publikun në një bashkëbisedim me studentë të komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës.

E ftuar mes ekspertëve të lartë në fushën e komunikimit, si Thanas Goga, ndihmëskëshilltar në kabinetin e kryeministrit Rama, Eris Kasmi, drejtor i Komunikimit i grupit Balfin, Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike si dhe Jonilda Filipi, Krasniqi zhvilloi një bashkëbisedim miqësor me studentët për sfidat e të qenurit reporter dhe specialist i Marrëdhënieve me Publikun përballë edhe epokës së transformimeve dixhitale.

Krasniqi rrëfeu karrierën e saj të nisur që në vitin 1986, kur ishte ende fëmijë dhe më pas reportere, drejtoreshë e lajmeve në redaksi televizive si dhe drejtoreshë e Marrëdhënieve me Publikun.

Ajo kujtoi kohën kur bobinat me të cilat punonin gazetarët, duhej që të lëviznin nga një zyrë në tjetrën.

“E kam nisur rrugëtimin në gazetari në vitin 1986 në Radio “Tirana” dhe ka qenë një periudhë që ju nuk mund as ta imagjinoni. E kam filluar me emisionet e fëmijëve dhe aty ka nisur dëshira ime për të qenë pjesë e radios dhe televizionit. Në ato vite kanë qenë disa bobina shumë të mëdha, ishin aq të mëdha, saqë unë fëmijë, edhe pak e vogël me trup, me zor i transportoja nga një studio në një tjetër. Ndërsa sot ju mund ta regjistroni një audio, një intervistë me një celular”, – u shpreh Krasniqi, duke vënë në dukje se teknologjia ka ecur me një ritëm të jashtëzakonshëm.

Si drejtuese e Marrëdhënieve me Publikun, Krasniqi i këshilloi studentët për aftësimin dhe përshtatjen me transformimet në teknologji, kjo e lidhur ngushtësisht në fushën e komunikimit.

“Mendoj se një specialist për Marrëdhëniet me Publikun, në radhë të parë duhet të jetë një gazetar i mirë. Si të thuash, janë këmbët e një ure. Nuk janë dy pozicione që shkojnë bashkë. Këtu u duk sikur këto dy elementë shkojnë bashkë. Nëse ti je një reporter, patjetër që ti nuk je një person i Marrëdhënieve me Publikun, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Kam qenë reportere në terren për shumë vite, reportere në radio, në televizion, drejtoreshë lajmesh, gazetare përsëri, drejtoreshë përsëri. Nuk ka lidhje. Gazetaria është gjë tjetër, ama gazetaria të forcon logjikën, të bën të kuptosh se ku janë gropat e një mesazhi kur ti je specialiste në Marrëdhëniet me Publikun”, – tha Krasniqi.

Përballë studentëve si eksperte e komunikimit, Krasniqi theksoi se është shumë i rëndësishëm mesazhi që do të përcjellësh dhe në momentin që ti ke aftësinë e një reporteri dhe fillon shndërrohesh një person i Marrëdhënieve me Publikun, kupton diferencën.

Drejtoresha e ATSH-së solli edhe përvojën e saj me punën e bërë në Kryeministrinë britanike, gjë që tërhoqi më shumë edhe vëmendjen e studentëve.

“Duke qenë se kam pasur mundësinë të punoj në kryeministrinë britanike, mund t’ju them që çdo departament i Marrëdhënieve me Publikun atje, ishte shndërruar mirëfilli në zyra të mëdha të cilat prodhonin video informuese në funksion të transparencës. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte fushata më e suksesshme që ata kishin pasur në ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale. Ata kishin zgjedhur një kukull që i përfaqësonte si logo e tyre dhe kukullën e kishin bërë si tip maskote, dilte në rrugë, ishte nëpër dyqane dhe kjo përfaqësonte fushatën e të gjithë qeverisë britanike sa i përket pagës minimale. Ishte fushata më e suksesshme sepse kishte arritur deri tek fëmijët të cilët nuk dinin se çfarë ishte paga minimale. Por fëmijët ishin të interesuar për ta pasur atë kukull dhe mesazhi automatikisht shkonte në shtëpi. Ishte një mesazh direkt që merrej nëpërmjet këtij publiciteti, falë kësaj gjetjeje”, – tregoi Krasniqi.

Duke i inkurajuar të rinjtë e gazetarisë në përshtatje me risitë në epokën dixhitale, Drejtoresha e ATSH tha se do të jetë shumë e shpejtë koha kur kompanitë e Marrëdhënieve me Publikun do të jenë pjesë e rëndësishme e koorporatave të mëdha dhe bizneseve edhe në Shqipëri.

“Duke folur me të gjithë kolegët e Europës vërej diçka që ata janë shumë të shqetësuar që roli i Agjencive dalëngadalë është duke u zbehur sepse janë kompanitë e mëdha që kanë zyra të mirëfillta të Marrëdhënieve me Publikun. Këtë diskutim e kam bërë me kolegen time austriake dhe gjëja që do t’ju këshilloja është që nëse doni të bëheni specialist PR, duhet të fokusoheni edhe tek ato kompani që sot nuk e kanë një zyrë të mirëfilltë, por mund të jetë njëri nga ju që mund ta propozojë. Ua them këtë gjë sepse do të jetë shumë e shpejtë koha kur kompanitë e Marrëdhënieve me Publikun do të jenë pjesë e rëndësishme e korporatave të mëdha dhe në Shqipëri”, – përfundoi Krasniqi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.