Kapet i shpalluri në kërkim nga drejtësia italiane, pritet ekstradimi

TIRANË, 22 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/- Një tjetër i kërkuar nga drejtësia italiane bie në prangat e Policisë së Durrësit.

Sipas njoftimit të policisë, u finalizua operacioni “Ekstradimi”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe një pune të mirë organizuar, në kuadër të operacionit “Ekstradimi”, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit S. J., banues në Durrës”, – njofton Policia e Durrësit.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Cagliarit, Itali, me vendimin Nr.7855/17, datë 17.07.2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Drogë, Kokainë, Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, – përfundon njoftimi i Policisë të Durrësit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.