Hap para për krijimin e BKH, Qeveria e SHBA dhuron 5 paketa të kontrollit poligraf

TIRANË, 22 nëntor/ATSH – I. Vata/ Qeveria e SHBA i dhuron pesë paketa të kontrollit poligraf Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi se këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme.

“Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit”, tha ambasada.

“Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një programi dhjetëjavor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i Përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC) – organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafeve – iu bashkuan drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, shprehet Ambasada. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.