Foto/ Kuçovë, rikonstruksion 25 shtëpive të familjeve në nevojë

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Në kuçovë do të nisë zbatimi i projektit për rikonstruksionin e 25 shtëpive të familjeve rome, egjiptiane dhe atyre në nevojë.

Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj e cila ka thënë se janë 21 milionë lekë të reja të cilat do të investohen për kushte shumë më të mira banimi, aty ku jetesa ka qenë më e vështirë.

Më tej, Felaj ka thënë se do të rikonstruktohet Poliklinika e qytetit përfshirë ambulancën e Tafil Skendos.

“Kjo javë u mbyll me dy lajme shumë të mira për Kuçovën. Së pari, siguruam vlerën e plotë për zbatimin e projektit të rikonstruksionit të 25 shtëpive të familjeve rome, egjiptiane dhe atyre në nevojë. 21 milionë lekë të reja, për kushte shumë më të mira banimi aty ku jetesa ka qenë më e vështirë! Gjithçka që do rindërtohet, do jetë në standardet më të mira të ndërtimit. Dhe lajmi tjetër i mirë, siguruam mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për rikonstruksionin e Poliklinikës së qytetit përfshirë ambulancën e Tafil Skendos. Në fakt edhe ajo e 11 janarit pritet të rikonstruktohet në vitin që vjen, si pjesë e programit për 120 qendra të reja shëndetësore në vitin 2020”, – tha Felaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.