Edukimi zgjedhor/ Zguri, leksion të hapur me studentë të Universitetit “Fan S. Noli”

TIRANË, 22 nëntor  /ATSH – I. Vata/- “Edukimi zgjedhor ka qenë fokusi i takimit të kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri  në një leksion të hapur me studentë të Universitetit të Korçës, “Fan S. Noli”.

Kryetari i KQZ-së, Zguri tha se “të rinjtë duhet të ndërgjegjësohen se vota është pushteti i tyre më i madh në shoqëri. Vota është pushtet që zgjedhësit e kanë një ditë në katër vjet dhe që, po nuk e përdorën mençurisht, mund t’u sjellë dëm për më shumë se katër vjet.

Takimi u zhvillua në kuadër të “Edukimit Zgjedhor”, dhe u realizua në formë bashkëbisedimi mes KQZ-së, studentëve dhe pedagogëve të universitetit.

“Ndoshta sot, për ju, edukimi zgjedhor është kuriozitet. Ndoshta ju doni të njihni teknikat e votimit e të numërimit që ne përdorim. Ndoshta doni të dini si duhet të silleni në qendrën e votimit. Ndoshta doni të mësoni si të mbroheni nga hilet, ofertat e paligjshme dhe manipulimi. Këto gjera, edukimi zgjedhor i realizon. Kjo është arsyeja e parë pse ne i kushtojmë rëndësi, sepse dija zgjedhore nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë privilegj i KQZ-së dhe i administratorëve të saj. Prandaj, mjafton të keni dëshirë të pyesni dhe KQZ-në do ta keni gjithmonë gati. Dija zgjedhore ka vlerë kur ajo është dije popullore. Vetëm kur të gjithë njerëzit aktivë të shoqërisë dine dhe janë të aftë ta vënë në punë sistemin, dinë t’a menaxhojnë e t’a mbrojnë atë, edukimi zgjedhor jep rezultat dhe demokracia zhvillohet e shëndetshme”, tha ai.

Po ashtu, Zguri shtoi se “edukimi zgjedhor nuk është vetëm njohje dhe zotërim i mekanizmit administrativ. Ne si KQZ jemi të prirur të shohim, sidomos tek studentët, administratorët e ardhshëm të zgjedhjeve. Ne kërkojmë kudo ku shkojmë njerëz të zot e të përgjegjshëm që t’i dalin zot ligjit dhe detyrës. Por ky është kuptimi i ngushtë i edukimit zgjedhor, ai që i përgjigjet “hallit” tonë, por që nuk përputhet tërësisht me “hallin” tuaj”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.