Diskutohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet komunës së Kaçanikut dhe bashkisë së Beratit

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo priti sot në një takim zyrtar përfaqësinë e Komunës së Kaçanikut në Kosovë, të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit Komunal, Kemajl Murseli dhe të përbërë nga drejtorë të Komunës dhe anëtarë të Kuvendit Komunal.

Gjatë diskutimeve, pala kosovare u njoh me vizionin e ri të bashkisë së Beratit dhe projektet e zhvillimit, si dhe u ndanë praktikat më të mira në adresimin e çështjeve të pushtetit vendor dhe në menaxhimin e sfidave.

U diskutua gjithashtu mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës Kaçanikut dhe bashkisë Berat kryesisht në fushën e kulturës, shërbimeve sociale, arsimit, këshillit bashkiak.

Në vizitën e tyre në Berat, përfaqësuesit nga Kaçaniku u njohën edhe me asetet kulturore dhe historike të qytetit dhe me zhvillimet e reja në territorin e qytetit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.