Veliu: Krimet kundër jetës janë ulur në 2019, kemi rritur forcën e zbulueshmërisë

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në seancën dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, mbi situatën e kriminalitetit, për periudhën janar-tetor 2019 u shpreh se synimi kryesor ka qenë përafrimi i standardeve të sigurisë në vend me ato të vendeve të Bashkimit Europian dhe sundimi i ligjit në të gjithë territorin e vendit, duke punuar në të njëjtën kohë si për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit, ashtu dhe për përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të vendeve BE-së.

Aktualisht janë në ndjekje procedurat për finalizimin e një sërë marrëveshjeve që kanë për qëllim, forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndër të cilat, më të rëndësishme mund të përmendim atë me FBI-në “Për shkëmbimin dhe shfrytëzimin e informatorëve në hetimet kundër terrorizmit”, me FRONTEX-in për bashkëpunimin operacional dhe me Kosovën për përdorimin e përbashkët të Oficerëve Ndërlidhës. Rritja e numrit të informacioneve të shkëmbyera kanë dhënë rezultatet e tyre, duke bërë të mundur ndërmjet të tjerave që në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, EUROPOL-in dhe zyrat homologe, të zhvillojmë 55 operacione të përbashkëta, duke shënuar një rritje me 21 operacione ose 61,7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Po kështu, rritje kanë pësuar edhe treguesit për personat në kërkim ndërkombëtar, ku për këtë periudhë janë shpallur në kërkim 208 persona nga 174 vitin e kaluar; janë arrestuar me qëllim ekstradimi ndaj vendit tonë dhe drejt vendeve të tjera 203 persona, ose 41 persona më shumë,” u shpreh ndër të tjera Veliu.

Veliu tha se si rezultat i punës së bërë, nga ana e strukturave përgjegjësve për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar është rritur numri i evidentimit të këtij krimi në masën 18%, është rritur numrit i konstatimit të dokumenteve false në masën 33%, është rritur numrit i konstatimit të rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit në masën 34%, është ulur numri i rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në masën 12% dhe është ulur numri i rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike në masën 32%. Vetëm nga këto struktura janë kapur 428 shtetas në kërkim (nga të cilët 339 në kërkim kombëtar dhe 48 në kërkim ndërkombëtar), janë sekuestruar në 48 raste lëndë narkotike me një sasi në total prej 3545 kg. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi një ulje me gjithsej 31 raste ose 39 % me më pak, si dhe me 1919 kg ose 35% më pak se vitin e kaluar.

“Forcimi i bashkëpunimit me komunitetin është vlerësuar gjithmonë si një drejtim i rëndësishëm pune, jo thjesht në funksion të luftës kundër krimit, por në radhë të parë për t’i shërbyer qytetarit në kohën dhe me cilësinë e duhur. Është bërë e mundur rritja e besimit të ndërsjellë midis Policisë dhe komunitetit si pasojë e vlerësimit në kohë dhe seriozitetit të ndjekjes së problematikave apo shqetësimeve. Kështu, mund të veçojmë se për këtë periudhë janë marrë 454 602 telefonata nga publiku, (mesatarisht 1515 telefonata në ditë) ose 150.249 telefonata më shumë se vitin e kaluar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e njoftimeve të ardhura në portalin “Komisariati dixhital”, ku kanë ardhur gjithsej 38.628 njoftime ose 1333 telefonata më shumë se vitin e kaluar,” u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.

Ai shtoi se gjatë periudhës janar-shtator 2019 nga Policia e Shtetit janë evidentuar 29676 vepra penale dhe janë zbuluar 25648 ose 86,4% prej tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton se janë evidentuar 446 vepra penale më shumë (ose 1,5% më shumë), ndërsa zbulueshmëria është pothuaj në të njëjtën nivel.

Për këtë periudhë janë verifikuar, hetuar dhe sekuestruar shumë prona dhe llogari bankare që janë vënë nga veprimtaria kriminale e personave dhe e grupeve kriminale. Konkretisht janë kryer 91 hetime pasurore, nga 83 hetime për të njëjtën periudhë të vitit 2018, si dhe janë kryer 5647 verifikime pasurore për asetet kriminale, nga 2625 të kryera vitin e kaluar. Këto aktivitete kanë bërë të mundur sekuestrimin e aseteve kriminale për pastrim parash në vlerën 34.587.611 euro, si dhe sekuestrimin e aseteve për veprimtari kriminale (hetime penale dhe pasurore sipas Ligjit Antimafia) në vlerën 52.600.000 euro.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018, janë sekuestruar më shumë se 41 milionë euro (pasuri, llogari bankare, cash), prej të cilave më shumë se 9 milionë euro për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe 32 milionë euro më shumë në zbatim të Ligjit Antimafia.

Goditje të rëndësishme u janë dhënë grupeve kriminale të krimit të organizuar. Kështu, janë goditur 34 grupe kriminale, prej të cilëve 22 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, 6 grupe kriminale me aktivitet në fushën e krimit ekonomiko-financiar dhe 6 grupe kriminale me aktivitet në fushën e trafiqeve të paligjshme. Ndërkohë, në rritje janë edhe referimet për veprën penale grup i strukturuar kriminal në 35 raste gjatë këtij viti, nga 20 të tilla vitin e kaluar. Janë zhvilluar 287 operacione policore, prej të cilave 62 operacione në bashkëpunim me partneret ndërkombëtarë.

“Bazuar në të dhënat dhe informacionet që disponojnë strukturat e Policisë së Shtetit dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, niveli i kërcënimit në vendit tonë nga kryerja e akteve terroriste vazhdon të jetë “i ulët”. Vendi ynë, si anëtar i koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, ka mbështetur e vazhdon të mbështesë partnerët në këtë luftë, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit si ndër prioritetet tona kryesore,” tha Veliu.

Për këtë periudhë janë evidentuar në total 2465 vepra penale kundër personit dhe janë zbuluar 2315 ose 93,9% prej tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë janë shënuar 249 vepra penale më pak, ndërsa fuqia zbuluese është në shifra të përafërta. Vendin kryesor në këtë grup tendencash e zënë plagosjet e lehta dhe kanosjet.

Në grupin e veprave penale kundër jetës janë evidentuar 49 vrasje (nga 45 të ndodhura vitin e kaluar) ose mesatarisht 1,5 vrasje për 100.000 banorë, ndërkohë që në disa vende të rajonit si në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur 0,8 vrasje, në Malin e Zi 2,07 dhe në Kosovë 3,59 vrasje për 100.000 banorë.

Treguesit krahasues janë nxjerrë për periudhën nëntëmujore janar-shtator 2019. Nga vrasjet e ndodhura janë zbuluar 40 prej tyre ose 81,6%, me 66 autorë të dyshuar, nga këta janë arrestuar 43 dhe shpallur në kërkim 19 autorë. Nga vrasjet e ndodhura, 14 prej tyre kanë ndodhur në familje dhe kanë shkaktuar 17 viktima, nga 10 vrasje në familje të ndodhura gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Vrasje nga pakujdesia kanë ndodhur në dy 2 raste, ndërsa vrasje të mbetur në tentativë kanë ndodhur 80, nga 100 të ndodhura një vit më parë dhe janë zbuluar 67 prej tyre ose 83,8%. Krimet kundër jetës janë ulur. Rënie gjithashtu ka edhe të kanosjeve serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, si dhe rënie të veprës penale të armëmbajtjes pa leje, ku për këtë periudhë janë evidentuar 806 raste (78 më pak se një vit më parë), zbuluar 694 prej tyre ose 86,1%. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.