Rehabilitim i 30 banesave në Paskuqan/ Rama: “E gjithë vëmendja te qytetarët”, askush nuk është vetëm

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Tridhjetë banesa të familjeve në nevojë, atyre me ndihmë ekonomike, familjeve rome dhe egjiptiane kanë nisur të rehabilitohen në zonën e Paskuqanit, një financim me 80% nga Ministria e Financave dhe 20% bashkia Kamëz.
Kryeministri Rama publikoi në ERTV, videon e vizitës së kryetarit të bashkisë Kamëz, Rakip Suli në këto banesa, ku u takua me banorët e zonës, për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre të përditshme.
Mbi videon e publikuar, Rama shkruan se “ndonëse banesat ishin ndërtuar shumë vite më parë, dora e pushtetit, as atij vendor, e as atij qendror, nuk ishte shtrirë kurrë ndaj më të pamundurve, për t’u mundësuar një strehë me kushte normale të jetesës”.
Ja pse “E gjithë vëmendja te qytetarët, – vijon Kryeministri, – nuk është një togfjalësh, por filozofia jonë qeverisëse, e materializuar dita ditës, për të garantuar që askush nuk është vetëm!”
Gjatë vizitës në shtëpinë e Pranverës, një prej banoreve të Paskuqanit, që tregoi e përlotur se si shtëpia e saj ishte bërë e pabanueshme, kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, siguroi se asnjë banor i Kamzës dhe Paskuqanit nuk është i vetëm në hallet e tij.
“Unë e shoh hallin tënd, edhe lotët e tua janë lotë halli. Por nuk jeni vetëm, kjo është e rëndësishme. Do të përfundojmë në një kohë të shkurtër të gjitha punimet”, theksoi Suli për banoren.
“Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama. Janë rreth 180 milionë lekë financim për të rehabilituar banesat e këtyre njerëzve në nevojë të cilat nuk ishin prekur me dorë prej vitesh. E dimë që hallet janë të mëdha, por e rëndësishme është që ka filluar të ndihet dora e shtetit, si atij qendror, edhe atij vendor”, shtoi Suli. /k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.