OSHEE Durrës investime për të rritur cilësinë e shërbimit dhe eliminuar humbjet në rrjet

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Durrës ka kryer një sërë investimesh për të rritur cilësinë e shërbimit, sigurinë dhe për të eliminuar humbjet në rrjet në qytetin bregdetar.

Sipas OSHEE Durrës, investimet janë kryer në zonën e Plazhit “Lagja 13, Rruga Pavarësia” dhe në zonën e “Shkozetit Lagja 14, Rruga Bajram Tusha”.

“Në këto zona janë ndërruar bokset kolektive në pallate të cilët i japin mundësi abonentëve të verifikojnë leximin e matësit përkatës në kohë reale, gjithashtu janë ndërruar matësat mekanikë me matësa elektronikë, gjë që rrit efikasitetin në leximin dhe printimin e faturave, si dhe ul nivelin e humbjeve dhe eliminon mundësinë e abuzimeve në sistemin e matjes”, thekson OSHEE, Durrës.

OSHEE shprehet se sistemimi i këtyre matësave dhe kasetave elektrike është bërë nga Grupi Operativ Plazh konkretisht tek pallatet e Entit të Banesave, pallati i Portit Shkozet Boksi nr 1 dhe Boks nr 2, dhe tek pallati B. Gashi Plazh./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.