Klosi: Paketa mjedisore, në zbatim të direktivës së BE-së

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Reduktimi i lejeve të tipit C dhe një sërë ndryshimesh që vijnë me paketën mjedisore u paraqitën sot në takimin e Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili u shpreh se, “pas studimit që kemi bërë dhe asistencës që vjen nga ekspertë të BE kemi propozuar në ligjin përkatës reduktimin e lejeve mjedisore nga 3 në 2 leje mjedisore duke liruar nga kjo problematikë 6200 subjekte që përfitojnë nga kjo lehtësi e kontrollit mjedisor”. Ministri Klosi theksoi se reduktimi do të orientojë administratën shtetërore te subjektet e mëdha të cilat ndotin mjedisin, duke shtuar kontrollin dhe monitorimin ndaj tyre.

Ministri Klosi tha se ka ardhur koha që bashkitë në zbatim të legjislacionit, të hartojnë planet e menaxhimit të biznesit në zonat e tyre.

Duke folur për eliminimin e qeseve plastike ministri Klosi tha se ligji do të jetë i ashpër, por suksesi i nismës do të jetë kur vetë shoqëria të refuzojë përdorimin e qeses plastike.

“Ligji do të jetë i ashpër për prodhuesit, importuesit, tregtarët, për ata të cilët abuzojnë me këtë, por do të ketë penalitete edhe për qytetarët që e përdorin qesen plastike, edhe për ata që duan fusin në kufi qesen plastike, por përsëri them që është një përpjekje e madhe për mjedisin e cila mund të realizohet vetëm nga një shoqëri e cila e refuzon qesen. Duhet ta pranojmë që thelbi i gjithë kësaj është nëse arrijmë që shoqëria vetë ta kufizojë qesen plastike”, tha ministri.

“Për sa i përket iniciativës tjetër që e kam pasur pjesë të debatit me të gjithë pushtetin vendor është eliminimi i qeseve plastike. Është një një vendim që jemi në diskutimi në qeveritar dhe duam që Shqipëria të jetë vendi i parë europian 1 qershor 2020 duke shënuar lidership edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe luftës kundër plastikës që sot është një imperativ i kohës dhe një betejë që bëhet kudo në botë”, tha Klosi.

“Arsyeja pse e sjellim në këtë diskutim me kryetarët e bashkive dhe në këshillin konsultativ është e thjeshtë. Ne duam që kjo luftë e qeseve plastike të mos jetë një vendim. Ajo ditë do të ndodhë dhe është pjesë më e thjeshtë, ajo që na duhet është që të kemi dakordësi me kryetarët bashkive dhe pushtetin vendor dhe të bëhet një edukim mjedisor si një debat të ri për mjedisin në Shqipëri. Plastikë shërben si një element shumë i fortë për të mbajtur pastër, qytetet dhe zonat turistike”, përfundoi Klosi.

Ndër ndryshimet në paketën mjedisore ministri Klosi u ndal edhe në sistemin online të lejeve.

”Kjo masë do të rrisë shumë transparencën do të zhdërvjelltësojë në mënyrë ekstreme raportin ndërmjet aplikuesit dhe administratës mjedisore”, – tha ministri Klosi.

Në paketën mjedisore që paraqiti, ministri Klosi theksoi gjithashtu nevojën e një sistemi landfillimi legal në të gjithë vendin dhe zbatimin e kosto tarifës për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Ndryshimet në ligjin e pyjeve do të sjellin gjithashtu një zbatim më të mirë të ligjit duke bërë më efektiv menaxhimin dhe mbrojtjen e tyre në nivel lokal dhe qendror. /a.a/r.e/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.