Financat gati raportin mbi situatën e kontratave koncesionare/PPP në vend

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Qeveria e ka tashmë një pamje të përgjithshme të situatës së kontratave koncesionare/PPP në vend të hartuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë me asistencën edhe të Bankës Botërore. Raporti pritet të publikohet së shpejti.

MFE thotë se kemi rritur monitorimin e kontratave koncesionare/PPP, me qëllim respektimin e rregullave fiskalë dhe minimizimin apo eliminimin e rrisqeve që implikojnë buxhetin.

“Në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies lidhur me koncesionet/PPP, MFE, bazuar në raportimet periodike, takime të zhvilluara me përfaqësues të autoriteteve kontraktore, dhe me asistencën teknike të BB, ka finalizuar raportin paraprak të përmbledhur të monitorimit të kontratave koncesionare/PPP, ku prezantohet një pamje e përgjithshme e situatës së kontratave koncesionare/PPP në vend, i cili do të publikohet së shpejti”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj gjatë diskutimeve në komisionin e Ekonomisë së p/buxhetit për vitin 2020.

Për periudhën 2004-2019 rezultojnë të regjistruara në total 220 kontrata koncesioni/PPP. Ndërkohë, numri i kontratave të koncesionit të nënshkruara pas vitit 2013 ka ardhur duke u reduktuar.

Konkretisht për periudhën 2004-2013 rezultojnë të nënshkruara 176 kontrata koncesionare dhe PPP, ndërsa për periudhën 2014-2019 rezultojnë vetëm 44 koncesione dhe PPP.

Gjithashtu vihet re një rënie edhe e numrit të kontratave të nisura në formën e një propozimi të pa kërkuara, pas 2013, në raport me totalin e kontratave.

Konkretisht, për periudhën 2004-2013, numri i propozimeve të pa kërkuara rezulton 171 nga 176 kontrata gjithsej, duke zënë kështu 97% të totalit të kontratave të koncesionit/PPP të nënshkruara për këtë periudhë.

Ndërsa për periudhën 2014-2019, numri i propozimeve të pa kërkuara rezulton 15 nga 44 kontrata gjithsej të nënshkruara për këtë periudhë, duke zënë kështu 34% të totalit të kontratave të koncesionit/PPP të nënshkruara për këtë periudhë. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.