Epokë e re për mjekësinë sportive në Shqipëri

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Mjekësia në futbollin shqiptar është një nga hallkat më të rëndësishme të procesit të licensimit të klubeve dhe Federata Shqiptare e Futbollit në kuadër të këtij procesi ka filluar trajnimet me klubet për t’i ofruar ndihmë konkrete, të vazhdueshme dhe të qendrueshme.

Një ndër trajnimet që u organizua nga FSHF, ishte ai me mjekët dhe fizioterapistët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, si edhe përfaqësues të akademive kryesore në vend. Në këtë trajnim referoi Doktor Gianluca Stesina, mjeku i ekipit kombëtar shqiptar, ish mjek i Juventusit dhe aktualisht pjesë e Juventus Medical.

Ky trajnim i lidhur me mjekësinë sportive është fillimi i një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standartave më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, organizmat spitalor shtetëror dhe privat si dhe federatat e tjera sportive në vend.

Zhvillimi i mjekësisë sportive është një ndër prioritetet kryesore dhe më të rëndësishme, për të arritur një zhvillim të qendrueshëm dhe të sigurtë për futbollin në vendin tonë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.