Basha-Tusk: Do luftojmë fort për hapjen e negociatave

TIRANË, 21 nëntor/ATSH – I. Vata/ “Do luftojmë fort për të merituar hapjen e negociatave”, është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takim me presidentin e sapozgjedhur të PPE, Donald Tusk.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha po merr pjesë në kongresin e PPE dhe është takuar me personalitete të partive simotra europiane.

Basha shprehet se “pata kënaqësinë të bashkëbisedoja dhe t’i uroja suksese Presidentit të ri të Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk, një mbështetës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e integrimit në BE”.

Më tej Basha shton se “ndava me Presidentin Tusk vendosmërinë time për të luftuar fort për plotësimin e të gjitha detyrimeve që vendi ynë ka për hapjen e negociatave, dhe për të bindur me rezultatet e punës tonë vendet skeptike, sic kemi bërë për anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave. Gjeta mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë e Presidentit Tusk për të na ndihmuar në këtë proces transformimi rrënjësor të vendit tonë, duke vendosur në Shqipëri standardet e Bashkimit Europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimin e shtetit ligjor, barazinë para ligjit, luftën kundër korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe zhvillimin ekonomik”.

Nga ana e tij, Presidenti Tusk theksoi se në një betejë politike, e vërteta dhe vendosmëria do të triumfojnë kundër lajmeve të rreme, manipulimeve dhe urrejtjes, ndërsa shprehu angazhimin për ta ndihmuar Shqipërinë të thotë të vërtetat e saj larg propagandës.

Po ashtu, Basha shton se “Presidenti i PPE, mirëpriti ftesën time për të vizituar së shpejti vendin tonë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.