Akademia e Shkencave, marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë për zbatimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Është nënshkruar sot marrëveshja e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo marrëveshje angazhon palët për bashkëpunim të ndërsjelltë në funksion të kujdesit për zhvillimin dhe përdorimin e njësuar të gjuhës shqipe në përdorimin zyrtar, në praktikat shkresore, në shtyp dhe media”, – njofton Akademia e Shkencave.

Akademia, mbështet Agjencinë me botime, veprimtari të përbashkëta, konsulencë dhe ekspertizë, në mënyrë të veçantë për terminologjinë dhe pastërtinë e gjuhës ndërsa bëhet me dije se në Maqedoninë e Veriut tashmë është themeluar edhe inspektoriati për gjuhën shqipe si institucion shtetëror.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga Kryetari i Akademisë, Skënder Gjinushi dhe drejtori Ylber Sela. Në takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Fatos Reka.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.