Shqipëria pjesë e Konventës ndërkombëtare të standardeve të shërbimit për detarët

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në aktin final të konferencës së shteteve anëtare të Konventës Ndërkombëtare për standardet e Kualifikimit, Certifikimit dhe Shërbimit për Detarët”.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati i pranishëm në Komision tha se p/ligji synon të plotësojë kuadrin ligjor në fushën e kualifikimit dhe të shërbimit për detarët.

Konventa përcakton standardet minimale në lidhje me trajnimin, certifikimin dhe mbajtjen e vëzhgimit për detarët, në vendet të cilat janë të detyruara t’i përmbushin këto standarde.

Standardi i përcaktuar nga Konventa zbatohet për detarët e të gjitha radhëve që shërbejnë në anijet tregtare detare të regjistruara nën flamurin e një shteti anëtar në Konventë.

Një veçori e rëndësishme e Konventës është se ajo është e vlefshme edhe për
anijet e shteteve jo anëtare kur vizitojnë portet e shteteve që janë palë në
Konventë.

Neni 10 përcakton që palët të zbatojnë masat e kontrollit për anijet e
të gjithë flamujve në masën e nevojshme për të siguruar që asnjë trajtim më i
favorshëm nuk jepet për anijet që kanë të drejtën të mbajnë flamurin e një shteti
që nuk është palë sesa u jepet anijeve që mbajnë flamurin e një shteti që është
një palë.

Vështirësitë që mund të lindin për anijet e shteteve që nuk janë palë në
Konventë është një arsye pse Konventa ka pasur një ratifikim kaq të gjerë nga
shtetet. Deri në vitin 2014, Konventa STCW kishte 158 shtete anëtare, që
përfaqësonin 98.8 për qind të tonazhit botëror të anijeve.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.