Shmangia e riskut të përfshirjes në financimin e terrorizmit dhe pastrimit të parave, Tatimet trajnojnë OJF-të

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Administrata Tatimore në vijim të takimeve sensibilizuese mbi riskun e përfshirjes në financimin e terrorizmit dhe të pastrimit të parave zhvilloi sot një seancë trajnimi me përfaqësues të Organizatave Jofitimprurëse (OJF).

Eksperti nga Mbretëria e Bashkuar, Joshua Farbridge, me përvojë në fushën e mbikëqyrjes së sektorit të OJF, specialistë nga Administrata Tatimore dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave (DPPPP), trajnuan përfaqësues të OJF-ve mbi teknikat e mbrojtjes nga risku që ekziston në këtë sektor për t’u përfshirë në vepra terroriste, të ndëshkueshme sipas legjislacionit tonë penal.

Mbi 35 përfaqësues të OJF-ve të pranishëm në trajnim, u njohën me rregullimet e reja ligjore e procedurale, si edhe mekanizmat e kontrollit për mbrojtjen sa më të plotë të tyre.

Çështjet kryesore të cilat u shpjeguan dhe u trajtuan ishin mënyrat/tipologjitë për përdorimin e OJF për qëllime të Financimit të Terrorizmit, nga organizatat terroriste, risku në sektorin e OJF-ve, masat që duhen marrë për t’i paraprirë abuzimit për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe rekomandimi dhe mangësitë e identifikuara nga Moneyval i Këshillit të Europës në lidhje me këtë sektor.

Gjatë trajnimit u prezantua udhëzimi për mbikëqyrjen e organizatave jofitimprurëse në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i dalë në korrik të këtij viti.

Inspektorët e kontrollit tatimor janë trajnuar ndërkohë mbi këtë udhëzim, i cili rregullon procedurat që ndiqen nga administrata tatimore, si organ mbikëqyrës, për kontrollin e veprimtarisë së OJF-ve, me qëllim shmangien e mundësisë së përdorimit të tyre për pastrim parash apo financim terrorizmi./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.