Reforma zgjedhore/ ODIHR për ATSH: Mbështetje Komisionit të Posaçëm

TIRANË, 20 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ ODIHR mbështet hapa konkretë drejt përfundimit të reformës zgjedhore në Shqipëri.

Zëdhënësja e ODIHR, Katya Andrusz iu përgjigj interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Duke folur për dy tryezat e organizuar nga OSBE/ODIHR në Tiranë me partitë politike, dhe propozimet e tyre mbi mënyrat sesi duhet zhvilluar reforma zgjedhore, Andrusz theksoi se, “zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) mori pjesë në tryezat e rrumbullakëta për reformën zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që të mbështesë hapa konkretë drejt përfundimit të reformës zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e ODIHR që nuk janë adresuar ende”.

Andrusz theksoi se ODIHR vazhdon të japë asistencë teknike për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

“ODIHR vazhdon të japë ekspertizë teknike për Komisionin ad hoc të Parlamentit të Shqipërisë për Reformën Zgjedhore dhe institucionet e tjera përkatëse, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë”, u shpreh Katya Andrusz në përgjigje të interesimit të ATSH-së.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka organizuar dy tryeza me të gjithë aktorët politikë për të diskutuar për reformën zgjedhore.

Dje Prezenca e OSBE organizoi së bashku me Këshillin e Europës/Bashkimin Europian dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI), një tryezë teknike të rëndësishme për reformën zgjedhore, përqendruar te financimi i partive dhe i fushatave zgjedhore.

Në këtë tryezë morën pjesë anëtarë të mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare. Anëtarët e opozitës joparlamentare propozuan që të ketë financim 100% nga buxheti i shtetit për partitë politike.

/p.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.