Lufta ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, eksperienca çeke në Policinë e Shtetit

TIRANË, 20 nëntor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Një delegacion i Policisë Çeke ka mbërritur në Tiranë, ku pritet të zhvillojë takime të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues Madhor Ardi Veliu priti në një takim një delegacion të Policisë Kriminale dhe Hetimit të Policisë Çeke, të kryesuar nga drejtori i Byrosë së Policisë Kriminale dhe Shërbimit Hetimor, kolonel Mgr. Michael Foit. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në takim ishin të pranishëm drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtues të lartë të Policisë çeke, ambasadori i Çekisë në Shqipëri, Jaroslav Ludva dhe oficeri ndërlidhës i Policisë çeke në Shqipëri, Adriatik Shino.

Gjatë takimit, Veliu dhe Foit i vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy policive dhe domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi dhe shkëmbimit të eksperiencave në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por edhe në sektorë të ndryshëm. Veliu theksoi se Oficeri Ndërlidhës i Policisë çeke në Shqipëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve.

Delegacioni i Policisë çeke do zhvillojë vizita e takime, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, në Akademinë e Sigurisë, Policinë Shkencore dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.