Koncesionet, Ahmetaj: Tiranë-Elbasan kosto u rrit me 100 milionë euro, Qukës-Qafë Plloçë nuk dihet sa do të shkojë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj deklaroi të martën se projektet e rrugëve të paraqitura nga qeverisja e mëparshme kishin probleme të mëdha që rritën kostot gjatë zbatimit, ndërsa koncesionet në HEC-e, apo ai i skanimit në dogana janë ende barrë në buxhet.

Gjatë debatit në komision mbi detyrimet për koncesionet Ahmetaj tha se për të qenë transparentë qeveria i kërkoi Kuvendit vendosjen e një tavani për pagesën e detyrimeve që vijnë nga projektet me koncesion prej 5%, si dhe vendosi të mos pranonte oferta të pa kërkuara për koncesionet.

“Në 2013 nuk ka pasur detyrim qeveria të sjellë në Kuvend për çdo kontratë informacion për kontratën, planet për të ardhmen dhe tavanin e përqindjes së pagesave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, kontratat e koncesioneve të HEC-eve të dhëna para 2013-s kanë ardhur çmimi plus prim që është garantimi i investimit ose i shitjes së prodhimit.

“Kush e garantonte, ishin taksat e shqiptarëve. Kontratat e HEC-ve të bëra para 2013-s kanë marrë garanci për shitjen e prodhimit. Janë në funksion të rritjes së kapaciteteve të energjisë elektrike, por pjesën e çmimit të negociuar përtej çmimit të tregut e paguan buxheti. Ndërsa goditja në buxhet nga koncesioni i skanimit në dogana është këtë vit 1.9 miliardë lekë”, tha ai.

Ahmetaj tha se kosto për ndërtimin e rrugës së Elbasanit u rrit me 100 milion lekë, ndërsa për rrugën Qukës-Qafë Plloçë nuk dihet sa do të shkojë.

“Rruga e Elbasanit. Kontrata ka ardhur dhe llogaritej si rruga më e lirë. Ishim në opozitë dhe kemi thënë po e mbështesim. Nga 150 milionë euro, shkoi 246 milionë euro. Gati 100 milionë euro më shumë. Ndodhi që projekti nuk ishte i saktë dhe u rrëzua pjesa e kodrës”, deklaroi ai.

Sipas Ahmetajt, e njëjta gjë ndodhi edhe me rrugën Qukës-Qafë Plloçë.

‘Erdhi Sherefedin Shehu, ish minister i Financave në qeverinë e djathtë. Na argumentoi financiarisht. Ishte një paketë financiare e lirë dhe e votuam. Doli që projekti ishte gabim. Nuk përputhej ana e majtë me të djathtën. Kishte 17 m diferencë. Ende sot nuk dihet sa do të shkojë kosto”, tha Ahmetaj./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.