FOTO/ Frymëmarrje qytetit, punime intensive për unazën e qytetit të Bajram Currit

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Po vijojnë punimet në fazën e dytë mbi zbatimin e projektit “Unaza e qytetit” në Bajram Curri, projekt ky i fituar pas një bashkëpunimi intensiv të bashkisë Tropojë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Projekti vazhdon në mes të lagjes “Partizani” aty ku kishte mbetur, nga Hotel-Restaurant “Real” deri tek Pallati i Kulturës. Punimet konsistojnë në sistemimin dhe asfaltimin e këtij aksi rrugor, ndërtimin e trotuarëve, sistemimin e ujërave dhe ndriçimin rrugor.

Pjesa tjetër konsiston në sistemimin e plotë të bllokut të lagjes “Dardania”, bllokut midis dy rrugëve kryesore “Harry Bajraktari” dhe “Mic Sokoli”, nga PTT, stacioni Fierzës deri tek kryqëzimi i Dragobisë, vazhdon me sistemimin dhe zgjerimin e rrugës “Ram Sadria” deri tek karburanti “Halil 1”.

Ky projekt përfshin asfaltimin, gjelbërimin, sistemimin e trotuareve, ndriçimin rrugor, krijimin e këndeve të lojërave për fëmijë dhe krijimin e vendeve për parking, duke i dhënë kështu më shumë bukuri dhe frymëmarrje qytetit të Bajram Currit. /a.a/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.