Dvorani: Respektoj Kushtetutën dhe ligjin, kallëzimi penal i Presidentit i pabazë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dovrani, deklaroi sot se “radha është një koncept që interpretohet në mënyrë tërësisht të gabuar dhe veprimet e Këshillit për dërgimin e listave tek organet e emërtesës është një veprim që nuk ndikon fare në respektimin e Kushtetutës dhe ligjit dhe nuk mund të më ngarkojë me përgjegjësi personale”.

Në një intervistë televizive, Dvorani duke sqaruar rolin e tij në procesin e vlerësimit dhe dërgimit të listave me emrat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, theksoi se “radha Presidencë-Kuvend-Gjykatë e Lartë është përcaktuar për një situatë normale dhe jo kur disa vakanca krijohen njëherazi”.

Në kushtet kur të gjitha vendet në Gjykatën Kushtetuese janë bosh, Dovrani sqaroi se “radha është momenti kur lind vakanca, kush është kompetent, pastaj ku përfundon procesi është diçka tjetër që nuk ka lidhje fare me kushtëzimin e njëri-tjetrit, Kuvendit dhe Presidentit”.

Duke komentuar veprimin e Presidentit për të dorëzuar në tre Prokurori kallëzimin penal ndaj tij, Dvorani tha se “nuk kam parë që një kallëzim t’i drejtohet 3-4 Prokurorive njëherësh. Përgjithësisht ata që janë profesionistë dhe e njohin ligjin e Kushtetutën, pretendojnë dhe e dinë se cila është prokuroria kompetente për të dorëzuar një kallëzim penal”.

“Prokurori nuk duhet të mendojë se kush do të jetë kryetari i KED vitin tjetër, nuk duhet të mendojë fare se kush është kallëzuesi, por duhet të respektojë Kushtetutën”, – deklaroi kreu i KED.

I pyetur përse KED i dërgoi Presidentit listë me katër emra dhe jo tre, Dvorani u përgjigj se “procedura e verifikimit bazohet në disa kushte kandidimi: kandidati i cili plotëson këto kushte lejohet të kandidojë; KED ka bërë këtë detyrë. Tani ligji parashikon që Këshilli pasi përfundon vlerësimin, i dërgon organeve listën. Ishin 4, por mund të ishin 12, por Kushtetuta është e qartë, duhet të përzgjidhet midis tre të parëve”.

Në lidhje me akuzat e opozitës dhe veçanërisht të ish-kryeministrit Sali Berisha, për lidhje të tij me Partinë Socialiste, Dvorani u shpreh se “unë s’kam bërë kurrë jetë politike. Jeta ime është tërësisht profesionale, nuk kam në asnjë moment jetë politike në aktivitetin tim. Kam punuar vetëm si nëpunës publik dhe tani jam gjyqtar”.

Ai sqaroi se ka marrë pjesë në një aktivitet të Partisë Socialiste, kur ajo ishte në opozitë, por vetëm si përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve dhe të pranishëm aty ishin përfaqësues të prokurorëve, avokatëve, shoqëri civile dhe përfaqësues të ambasadave. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.