Armët e paligjshme në rajon/ Voda: Shqipëri, vendi i parë që nënshkroi marrëveshjen për oficerin ndërlidhës të EUROPOL

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Zhvillohet në Tiranë takimi i dytë rajonal koordinues i udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për armët e paligjshme në rajon. Në takimin koordinues të Udhërrëfyesit marrin pjesë përfaqësues nga Komisionet Kombëtare të Armëve të Vogla dhe të Lehta nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, si dhe përfaqësues të Bashkimit Europian, Ministrisë së Jashtme Gjermane dhe Franceze, RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), UNDP, UNODC, OSBE, EUROPOL, SEESAC, etj.. Ky takim mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Francës si dhe nga Bashkimi Europian.

“Shqipëria po punon intensivisht në përafrimin e legjislacionit për armët, në përmbushje të objektivit të parë të strategjisë. Shqipëria ka intensifikuar bashkëpunimin policor ndërkombëtar, operacionet e përbashkëta dhe është vendi i parë që nënshkroi marrëveshjen për vendosjen e oficerit ndërlidhës të EUROPOL në Tiranë dhe vendi i parë ku u vendos oficeri ndërlidhës,” u shpreh në këtë takim zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Shqipëria është gjithashtu vendi i parë ku filloi operacioni FRONTEX në kufi, duke punuar bashkërisht me oficerët kufitarë të vendeve anëtare.

“Bashkëpunimi në kufi me Doganat dhe në kufirin detar nëpërmjet Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, të drejtuar nga Ministria e Mbrojtjes është në nivele të larta. Puna për ndërgjegjësimin e rreziqeve të drogave, alkoolit dhe armëve vijon nëpërmjet Policimit në Komunitet, i cili është një realitet shumëvjeçar për Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit ushtron një kontroll rigoroz ndaj armëve të ligjshme dhe po regjistron të gjitha armët e gjahut. Shqipëria është gjithashtu vendi i parë në rajon që ka shkatërruar tepricën e armëve të trashëguar nga para viteve ’90. Vijon puna intensive për krijimin e Njësisë Qendrore për Armët e Zjarrit, në zbatim të rekomandimeve të Progresraportit të Komisionit Europian,” tha zv/ministrja Voda, duke shtuar se takime të tilla i shërbejnë, jo vetëm theksimit të sukseseve, por edhe mbështetjes nga donatorët për objektiva të strategjisë.

Vetëm gjatë 6 mujorit të parë Shqipëria fitoi një projekt për Policinë Shkencore me vlerë gati 1.2 milion dollarë, si dhe përmirësime të infrastrukturës së depove të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Në Samitin e Londrës BE-Ballkani Perëndimor, në korrik 2018 vendet e Ballkanit Perëndimor miratuan Udhërrëfyesin për një zgjidhje të qëndrueshme për armët e paligjshme në rajon, hartimi i të cilit u ndihmua nga SEESAC. Në zbatim të Udhërrëfyesit, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të miratonin Plane lokale Veprimi. Shqipëria miratoi Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Kontrollin e Armëve me Vendim të Këshillit të Ministrave, në shkurt 2019, plotësisht të përputhur me objektivat e Udhërrëfyesit. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.