Tryeza për Reformën Zgjedhore, OSBE: Hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me delegacionin e BE në Shqipëri dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI), organizoi sot një tryezë teknike të rëndësishme për Reformën Zgjedhore, përqendruar te financimi i partive dhe i fushatave zgjedhore.

OSBE përkrah reformat e rëndësishme në mënyrë gjithëpërfshirëse, në partneritet të ngushtë me organizatat ndërkombëtare, duke respektuar të gjitha institucionet dhe partitë politike shqiptare dhe në dobi të qytetarëve të Shqipërisë.

Ekspertët e OSBE/ODIHR-it, KiE/BE dhe NDI-it ndanë pikëpamjet e tyre për çështjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore me përfaqësues të shumë partive politike shqiptare, duke bërë që tryeza të sillte një shkëmbim pikëpamjesh dhe zgjidhjesh konkrete e me vlerë.

Veprimtaria lehtësoi dialogun mes të gjitha partive politike, me qëllim ndërmarrjen e hapave konkretë për përfundimin e reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat kanë mbetur të patrajtuara për një kohë të gjatë.

OSBE e çmon pjesëmarrjen e partive që u larguan nga Kuvendi, si dhe propozimet e bëra prej tyre në këtë tryezë.

Referuar njoftimit të OSBE, “veprimtaria e sotme është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik, përmes ofrimit të ekspertizës teknike nga OSBE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në përkrahje të reformave thelbësore”.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të lehtësojë tryeza, takime pune dhe konferenca të tjera për reformën zgjedhore, si edhe të ofrojë ekspertizë teknike. Ne mbetemi të vendosur ta mbështetim Shqipërinë dhe të gjitha institucionet e saj në një dialog gjithëpërfshirës, sipas mandatit tonë në vend”, – përfundon njoftimi i Prezencës së OSBE.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.