Tryeza e OSBE për reformën zgjedhore/ Gjiknuri: Mirëpresim propozimet e PD, kufizim i reklamave politike

TIRANË, 19 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh sot se “pret të shikojë propozime të shkruara nga Partia Demokratike për reformën zgjedhore, se deri tani nuk kemi parë asnjë gjë, përveç deklaratave politike”.

“Atëherë ne do të shprehemi në lidhje me to”, tha ai, në përfundim të pjesës së parë të diskutimeve me dyer të mbyllura në tryezën e organizuar nga OSBE-ja për reformën zgjedhore.

Gjiknuri tha për mediet se “për sa i përket rolit të Partisë Demokratike prezenca e saj në tryezë është e mirëpritur”.

“Diskutuam me ekspertët e Këshillit të Europës dhe të Institutit Demokratik Amerikan. Janë duke u bërë disa propozime dhe sugjerime në lidhje me kufizimet e shpenzimeve të fushatave zgjedhore si dhe po jepen mendime në lidhje me projektet që ne kemi shfaqur në komisionin e Reformës Zgjedhore, duke bërë ‘de facto’ dhe një kritikë apo sugjerime në lidhje me ato që ne po miratojmë në lidhje me komisionin e Reformës Zgjedhore”, tha Gjiknuri.

Qëllimi i tryezës, sipas tij “është më i gjerë dhe është për të parë përtej fushatave zgjedhore dhe financimin e partive politike”.

Gjiknuri tha se “përtej financimit të fushatës zgjedhore po diskutohet edhe për çështjet e financimit të partive politike”.

“Ka diskutime nga më të ndryshmet, problemet kryesore janë aspekti i raportimit, kufizimet në shuma, por mbi të gjitha dhe idetë e hedhura dhe kërkesa që kanë ardhur nga disa institucione ndërkombëtare për të kufizuar reklamat politike, mbase dhe për t’i ndaluar fare ato. Është një çështje, e cila është duke u diskutuar ku po shikohen pluset dhe minuset e të gjithë këtyre propozimeve”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri shprehu bindjen se “ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë tryezë për të adresuar edhe çështjet e reformimit të partive politike, sepse ajo mund të jetë një gjë që mund të trajtohet jashtë kuadrit të reformës zgjedhore”.

“Legjislacioni i ri për financimin e partive politike, patjetër që do të përfshijë edhe partitë kryesore shqiptare, që në këtë rast i bie PD”, shtoi ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.