Kallëzimi penal për Dvoranin/ Meta: Mundësi historike për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta do të depozitojë sot kallëzimin penal për Kryetarin e KED, Ardian Dvorani.

Ashtu sikurse njoftoi zyra e shtypit e Presidencës, kallëzimi penal për Dvoranin do të depozitohet në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Sapo nënshkrova kallëzimin penal të premtuar ndaj Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, tha Meta.

Prej 4 ditësh, Kreu i Shtetit kishte paralajmëruar kallëzim penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, me akuzën shpërdorim detyre.

“Unë si president i Republikës dhe Kryetar i Shtetit akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale: Shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore. Baza ligjore Kushtetuta e Republikës”, tha ai në një konferencë për shtyp disa ditë më parë.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.