IRAK – Protestuesit bllokojnë rrugët drejt fushave naftëmbajtëse

BAGDAD, 19 nëntor /ATSH-AA/ – Protestuesit irakianë në vazhdën e manifestimeve masive kundër korrupsionit, bllokuan sot rrugët kryesore që çojnë tek fushat e naftës në provincën jugore Basra.

“Protestuesit do të vazhdojnë të bllokojnë rrugët me qëllim të shtrirjes së grevës së përgjithshme në vend”, theksoi një aktivist lokal duke kërkuar të mbetet anonim për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Të dielën, protestuesit bllokuan rrugën që çon në fushën e naftës Majnoon, e cila ka rreth 38 miliardë fuçi naftë.

Që nga fillimi i tetorit, Iraku u përfshi nga protestat masive popullore kundër politikave të qeverisë të cilat, sipas protestuesve, nuk arritën të përmirësojnë kushtet jetesës së irakianëve dhe t’i japin fund korrupsionit.

Sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut, të paktën 335 irakianë janë vrarë dhe rreth 15 000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i protestave më 1 tetor./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.