Hajdari: Financimi 100% i partive nga shteti jo i drejtë, kërkojmë ndryshim të sistemit zgjedhor

TIRANË, 19 nëntor /ATSH-I.Vata/ Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari në një prononcim për mediet tha se opozita parlamentare kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe nëse është e nevojshme do të kërkojë referendum, ndërsa kundërshton propozimin e opozitës për financimin 100% të partive nga buxheti i shtetit.

Për sa i përket financimit të partive politike, 100% nga buxheti i shteti, Hajdari tha se “propozimet nga forcat politike ishin konkrete si nga opozita parlamentare, dhe opozita jashtëparlamentare dhe ne ishim të kënaqur se opozita jashtëparlamentare mori pjesë në këtë aktivitet, ndoshta ndryshe se më parë ata qëndruan deri në fund dhe morën pyetje nga shoqëria civile, pra patëm një komunikim me zotin Kaso dhe bënë pyetje në lidhje me financimin e partive 100%”.

Hajdari thekson se financimi 100% është nuk është i drejtë.

“Në fakt, financimi 100% është një nga propozimet e tyre kyçe, është një gjë që duhet parë me vëmendje, sepse ne e dimë fare mirë se jetojmë në një shtet të varfër, pasi u kërkohet shqiptarëve të paguhet më shumë për buxhetin e shtetit për të financuar partitë politike 100% mendoj se kjo nuk është e drejtë”, tha ajo.

Në vijim Hajdari tha se “qëndrimi i opozitës parlamentare është i qartë. Ne duam një reformim zgjedhor tërësor dhe gjithëpërfshirës, po nga ana tjetër mendojmë se ndryshimi i sistemit është ai ndryshim që do t’i zbuste rolet e kryetarëve të partive, do përmirësonte cilësinë e demokracisë do përmirësonte nivelin e përfaqësimit në parlament, do sillte një risi vërtetë të nevojshme për të forcuar demokracinë në Shqipëri”, deklaroi Hajdari në përfundim të tryezës për Reformën Zgjedhore organizuar sot nga OSBE.

Hajdari e konsideron si moment historik, ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Të gjitha përmirësimet e tjera si ligji për partitë politike, apo financimi i partive politike janë pozitive, por nuk i zgjidhin problemet tona. Prandaj ne do i mëshojmë fort faktit se ndryshimi i sistemit do të ishte një shans për shqiptarët dhe një moment historik për të realizuar këtë objektiv. Kemi mbështetje të fortë nga shoqëria civile në lidhje me ndryshimin e sistemi elektoral, po ashtu mendojmë se shqiptarët e duan këtë ndryshim dhe nëse është e nevojshme ne do ta çojmë deri në referendum këtë çështje, pasi duhet të jetë vullneti i shqiptarëve për këtë ndryshim”, thekson ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.