Bashkia e Durrësit dëgjesa publike për buxhetin 2022, investime dhe projekte në ndihmë të komunitetit

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Në kuadër të nismës së bashkisë Durrës, për realizimin e dëgjesave publike për projektbuxhetin 2020-2022, në njësinë administrative Manëz,  u organizuan katër dëgjesa publike.

Një nga dëgjesat publike ishte për Paketën Fiskale që bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022. Ndërsa, dy dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2020-2022 për Programin “Infrastruktura rrugore” dhe Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjeçar si dhe atë të Mesëm” dhe një dëgjesë ishte për projektet dhe shërbimet sociale që janë planifikuar të zbatohen për periudhën 2020-2022 për komunitetin e njësive administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandim nga ana e tyre.

Dëgjesat publike u organizuan nga Sektori i Analizës së Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave te Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare.

Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak.

Gjatë Dëgjesës Publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar nga Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2020 – 2022 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Në dëgjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur nga Emiriana Sako, Drejtore e Përgjithshme  e Shërbimeve Publike, lidhur me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2020-2022 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore” për njësitë administrative: Manëz, Ishëm dhe Sukth.

Ndërsa në dëgjesën e tretë, Adrian Gurra, drejtor në Drejtorinë e Arsim-Kulturë-Rini-Sporte dhe Komunitete Fetare, bëri prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, për periudhën 2020-2022 në këto njësi administrative.

Së fundmi, pjesëmarrësit u njohën me projektet dhe shërbimet sociale që bashkia e Durrësit do të zbatojë në periudhën 2020-2022, të cilat u prezantuan nga Drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimit Social, Meme Xhaferraj.

Gjatë dëgjesave publike pati diskutime dhe propozime nga grupet e interesit, të cilat u evidentuan për tu pasur parasysh në përcaktimin e prioriteteve në projektbuxhetin 2020-2022. ​/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.