Bardhi: Kallëzimi penal i Metës ndaj kryetarit të KED, akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas kallëzimit penal të Presidentit Meta ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Në një deklaratë për mediet, Bardhi tha se “kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese”.

Bardhi shtoi se “një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia”.

“Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit”, – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i PD. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.