Meta letër OSBE-së: Borchardt nuk është i mirëpritur

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschardt nuk është më i mirëpritur në institucionin e Presidentit të Republikës.

Këtë vendim, Presidenti ia ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, pranisë së kësaj organizate në Tiranë si dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit në MEPJ. Shkak, sipas letrës, është se ambasadori Borchardt “vuri në diskutim dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor”.

“Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës””, thuhet në letrën e Metës.

Komisioni i Venecias në opinionin e kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë, theksoi në lidhje me zhdekretimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve lokale në vend, nga presidenti Ilir Meta se “ekspertët kushtetues të Këshillit të Europës të Komisionit të Venecias kanë dalë në përfundimin se presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese”.

Në opinion thuhet se “Komisioni i Venecias vëren se presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa një konsensus politik”. “Edhe në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet”, nënvizoi Komisioni i Venecias.

Ambasada amerikane në Tiranë në qëndrimin e saj për zgjedhjet e 30 qershorit mirëpriti përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”, thuhej në deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer ndërkaq vinte në dukje para zhvillimit të zgjedhjeve, se “ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA”.

“Unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Për sa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”, deklaroi Palmer pas zgjedhjeve të 30 qershorit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.