Komisioni i Ligjeve shqyrton projektbuxhetin e vitit 2020 për Kushtetuesen

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, gjatë diskutimit të projektbuxhetit të institucioneve të drejtësisë në Komisionin e Ligjeve ka kërkuar rikonstruksionin e godinës së këtij institucioni, si dhe shtimin me 10 punonjës të rinj në organikë.

“Sa i përket investimeve, është një kërkesë shumë e vjetër që nuk është marrë parasysh. Jemi në të njëjtën godinë ku ndodheni ju ligjvënës dhe ambientet e amortizuara të Gjykatës Kushtetuese, e vetmja që ka mbetur pa u rikonstruktuar janë rënduar nga goditja për së dyti dhe nga tërmeti. Mendoni kushtet në të cilat anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë filluar punë dhe do ta vazhdojnë atë punë. Kemi kërkuar rikonstruksion dhe nuk është miratuar kërkesa. Mbledhja e gjyqtarëve në 2017 ka miratuar 72 punonjës, jemi 62, sepse 10 të tjerë që kemi kërkuar nuk janë miratuar. Kjo do të ndikojë në keqfunksionimin e Gjykatës duke marrë parasysh fluksin që do ketë Gjykata.”

Deputetët e Ligjeve kanë deklaruar se buxheti i parashikuar është i mjaftueshëm, madje ka rritje krahasuar me një vit më parë.

“Buxheti është në rritje dhe i mjaftueshëm për të realizuar aktivitetin. Buxheti 2019, totali i shpenzimeve është 114 milionë lekë dhe në 2020 japim 161 milionë lekë. Sa i përket investimeve, unë jam kundër investimeve që u jepen, më mirë të jepet një investim tamam. Po të banalizosh investimet, në 2019 kishit 4 milionë investime, keni realizuar 0,2 mln. Por Ministria e Financave ju jep dhe 4 milionë lekë të reja për 2020. Pse ia jep një institucioni kur nuk është efektiv për të bërë investimin? Duhet të bëni një analizë financiare. Ministria e Financave është treguar dorëlëshuar, nuk duhet t’ju jepte fare. Shifrat për Gjykatën Kushtetuese janë shumë të sakta, shumë të drejta dhe me rritje,” tha Bashkim Fino. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.