Drejt Bashkimit Europian mbi 76% e eksporteve shqiptare, kryesojnë tekstilet dhe mineralet

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së në periudhën janar-tetor zënë 64,2% të gjithë tregtisë.

Instituti i Statistikave publikoi të hënën raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,4% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,5 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me të cilën u kryen 32,7% e vëllimit të import-eksporteve, Greqia 7,2%, Kina me 6,9% dhe Turqia 6,4%.

Pjesa më e madhe e eksportit të grupit “tekstile dhe këpucë” shkoi në tregjet italiane dhe ato gjermane, ndërsa mineralet kryesonin eksportet e mallrave shqiptare drejt Spanjës.

Sipas INSTAT eksporti i grupit “tekstile dhe këpucë” drejt Italisë në vlerë llogaritet për 10-mujorin rreth 70.3 miliardë lekë, ndërsa drejt Gjermanisë u eksportuan 5.6 miliardë lekë.

Për periudhën janar-tetor drejt Spanjës eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” llogariten 12 miliardë lekë. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.