Çuçi: Buxheti 2020, më i madhi në historinë e bujqësisë. Rrisim investimet, financimin për fermerët, punësimin

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/- Qeveria ka adresuar në projektbuxhetin e vitit 2020 për sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, një fond total financiar prej 11.4 miliardë lekë që llogaritet 15% më shumë se vitin e kaluar dhe 70% më i lartë se në vitit 2013.

Kështu deklaroi sot Blendi Çuçi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2020, për sektorin e bujqësisë, ku ndër të tjera theksoi se “ky është viti rekord i financimit të bujqësisë si asnjëherë më parë, që do të shkojë për më shumë investime në sektorin rural, më shumë fonde në mbështetje të fermerëve dhe rritje të numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë”.

Duke u ndalur në sektorët prioritarë që do të mbështesë projektbuxheti 2020, ministri Çuçi u shpreh se; Rritja e investimeve në veprat e ujitjes dhe kullimit që do të rrisin në 240 mijë ha sipërfaqen e ujitshme, nga 120 mijë ha që ishin në 2013, apo rritja në 235 mijë ha e sipërfaqes së kulluar; rritja e numrit të fermerëve që përfitojnë nga skema e mbështetjes financiare, rehabilitimi i veprave mbrojtëse nga përmbytjet, rritja e numrit të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim, forcimi i kontrollit të sigurisë ushqimore e veterinare në vend, ulja e numrit të bizneseve të mbyllura për mosplotësimin e kushteve të sigurisë ushqimore etj.

Prioritetet e sektorit të bujqësisë, për periudhën afatmesme 2020-2022, janë:

Garantimi i sigurisë ushqimore, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, dhe shëndetit të bimëve përmes adoptimit të standardeve përkatëse të BE-së në kuadrin normativ vendas; Konsolidimi i pronësisë mbi tokën bujqësore, administrimi i qëndrueshëm, ruajtja e saj nga dëmtimi, gërryerja, shpërdorimi dhe faktorë të tjerë; Nxitja e tregut të tokës dhe konsolidimi i fermës bujqësore duke rritur sipërfaqen dhe nxitur kooperimin.

Mbështetje për agroindustrinë

Mbështetje për tregjet dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe blegtorale; Rritja e numrit të fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse dhe kulluese.

Mbështetje financiare dhe asistencë teknike për fermerët

Zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore dhe kapaciteteve të flotës së peshkimit, si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli dhe inspektimi për peshkimin dhe në të gjithë zinxhirin e tregut. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.