VIDEO-Rritje ekonomike mbi 4% në 2020/ Bushati për ATSH-në: Impakt lehtësirat fiskale dhe ulja e TVSH për turizmin e agroturizmin

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, në një intervistë për ATSH vlerëson projektbuxhetin e sjellë nga qeveria për vitin 2020, ndërsa shprehet se një klimë më e mirë politike do të luante një rol të madh pozitiv te biznesi dhe konsumatori.

“Kemi një buxhet, i cili zbaton dhe respekton parametrat makroekonomikë dhe është brenda parashikimeve që edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të ruajë këto parametra, për sa i përket rritjes ekonomike, investimeve, deficitit dhe borxhit kombëtar, sepse Shqipëria është një vend që duhet t’i respektojë këto norma”, tha Bushati për ATSH.

Sipas Bushatit, ekonomia shqiptare është e lidhur edhe me ekonomitë e huaja e kryesisht ato fqinje dhe disa zhvillime në këto tregje si rënia e euros ka dhënë ndikim edhe në ekonominë tonë.

Por, Bushati shprehet se një ndikim të madh ka patur edhe klima politike në vend.

“Klima e acaruar politike patjetër e ka ndrydhur ekonominë, sepse nëse nuk do të kishim patur në mënyrë të vazhdueshme protestat e opozitës të cilat bllokuan në mënyrë permanente rrugët, në fundjavë, kur konsumatorët janë më të pranishëm në treg, kanë bërë të bjerë konsumi”, deklaroi Bushati në intervistën për ATSH.

Shpresojmë, vijoi ai, që me fillimin e funksionimit të të gjitha institucioneve që ka parashikuar Reforma në Drejtësi, me fillimin e sundimit të ligjit, do të krijohet një klimë më e mirë biznesi dhe konsumi e investimet të rriten.

Ne parashikojmë, tha ai, që në vitin 2020 parametrat të jenë më të mirë, ndaj edhe presim një rritje ekonomike më të lartë, mbi 4% që është edhe trendi normal i ekonomisë.

Bushati theksoi se aktualisht kemi trend shumë të mirë për sa i përket rritjes ekonomike në disa sektorë si turizmi dhe shërbimi, të cilat patjetër duhet të jenë edhe fokusi ynë në të ardhmen si ekonomi.

“Shqipëria mund të jetojë me turizëm. Me rritjen e turizmit rriten edhe konsumi e shërbimet e tjera, produktet bujqësore e hoteleria, të cilat mund të bëjnë që të punësohen më shumë shqiptarë e të rritet vëllimi ekonomik”, shtoi deputeti socialist gjatë intervistës për ATSH.

Ne, vuri në dukje ai, kemi nisur lehtësirat vitin e kaluar, kemi ulur TVSH për turizmin e agroturizmin, kemi ulur taksën për infrastrukturën që ka të bëjë me ndërtimet e reja në sektorin e turizmit dhe besojmë se do të nisin të japin efektet.

Projektbuxheti për vitin 2020 është prezantuar nga qeveria në Kuvend dhe ka nisur diskutimet në komisionet parlamentare.

Në vitin që vjen rritja ekonomike parashikohet 4,1%.

/a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.