Kushtetuesja/ Xhafaj: Xhaferllari me dekret të paligjshëm të Metës dhe votim klientelist në KED, partnerët ndërkombëtarë të reagojnë

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ – Ish-kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, deputeti i PS, Fatmir Xhafaj e quan antikushtetuese emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një reagimi në lidhje me debatin për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, Xhafaj shprehet se edhe votimi brenda KED ishte klientelist.

“Në web e GjK znj. Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të Gjykatës Kushtetuese u bazua kjo vendimmarrje? Në bindjen time znj. Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish-kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin,” shprehet Xhafaj.

Ai shkon më tej duke e quajtur të paligjshëm dekretin e Presidentit Ilir Meta, duke i kujtuar atij se Kushtetuta nuk është pronë e askujt. Xhafaj kërkon edhe reagimin e ndërkombëtarëve për këtë shkelje të hapur të Kushtetutës.

“Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur. Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i ekspertizës më të mirë vendase e të huaj. Opinioni i Komisionit të Venecias ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të Kushtetutës e ligjit të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë qartë,” thotë Xhafaj.

“Zbatimi i Reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, – shprehet më tej Xhafaj, – angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të Kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija”. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.