FOTO/“Shqipëria punon tokën”/ Çuçi: Sheshi “Skënderbej” si kurrë më parë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ – Panairi “Shqipëria punon tokën” në ditën e dytë të zhvillimit të tij, e ka shndërruar sheshin “Skënderbej” të Tiranës, sheshin më të madh të Shqipërisë, në atmosferën më të madhe festive të prodhimeve të fshatit në qytet.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi përmes një video tregon atmosferën e jashtëzakonshme që ka sjell ku panair për qytetarët e Tiranës të cilët kanë mundësi të prekin nga afër dhe të shijojnë larmishmërinë e produkteve ushqimore me cilësi të lartë.

“Sheshi “Skënderbej” si kurrë më parë. Panairi “Shqipëria Punon Tokën” një fermë e madhe në zemër të Tiranës”, shprehet ministri Çuçi.

Ky panair mbetet vitrina më e mirë për promovimin e produkteve shqiptare. Sivjet është edicioni i tretë i panairit, i cili po kthehet në një traditë të përvitshme. Në këtë panair janë  mbi 400 fermerë dhe sipërmarrës në fushën e agrobiznesit.

“Shqipëria Punon Tokën” është një mundësi e shkëlqyer komunikimi e fermerëve me njëri-tjetrin, për të shkëmbyer eksperienca, për të ndarë histori suksesi dhe vizionin se si mund të zhvillohet më tej bujqësia shqiptare, blegtoria, akuakultura, sektori i agropërpunimit e deri tek agroturizmi. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.