Bardhi: Xhafaj sulm të papranueshëm kundër Kushtetueses

TIRANE, 17 nëntor/ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PS, Fatmir Xhafaj i cili deklaroi se Marsida Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi tha se “sulmi i Xhafajat ndaj Gjykatës Kushtetutese përse zbatoi Kushtetutën dhe jo urdhrat e Partisë është i papranueshëm dhe bie ndesh me qëllimin e Reformës në Drejtësi, që politika të rrijë larg vendimmarrjeve të gjyqësorit”.

Ai shprehet se “Kushtetuta është e qartë në tre pika:  Emërimi i 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga Dvorani i Partisë në KED (neni 125 i Kushtetutës);   Gjyqtari i emëruar që të fillojë detyrën duhen të betohet përpara Presidentit të Republikës dhe jo në zyrën e Fatmir Xhafës apo selinë e Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës) si dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese duhet të betohet që do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, dhe jo pushtetit popullor dhe Statutit të Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).

Bardhi tha se “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka shpallur asnjë fitues, sepse nuk e ka këtë kompetencë (neni 149/d i Kushtetutës)”, duke shtuar se “Dvorani ka bërë veprime administrative të paligjshme në zbatim të urdhrave të Partisë, por ato nuk janë vendime të organit kolegjial KED, por vendime personale të ushtarit të vëllait të Geronit në KED”.

“Ata që s’po lenë organ të ri të drejtësisë pa futur duart, duhet të kuptojnë se zbatimi korrekt dhe sipas Kushtetutës i Reformës në Drejtësi është parakusht për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Drejtësia e re nuk bëhet me shërbëtor partiak, por me individë që respektojnë Kushtetutën dhe zbatojnë atë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Arta Vorpsi me sjelljen prej shërbëtorje politike humbi çdo mundësi për të qenë, ligjërisht dhe moralisht, gjyqtare e Gjykatës Kushtetutese. Ajo u provua se ishte e renditur e parë, jo për aftësi e profesionalizëm, por për miqësi me Fatmir Xhafën dhe ushtarët e tij në KED Ardian Dvorani e Arta Marku”, thekson Bardhi.

Ai përfundoi duke shtuar se “reforma në Drejtësi duhet të zbatohet vetëm sipas Kushtetutës! Vetëm kështu drejtësia e re përmbush standardet e vendeve partnere që na ndihmuan në realizimin e saj”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.