VIDEO/ Fondi për komunitetin, si u transformua pallati 30-vjeçar në rrugën “Fadil Bodinaku”

TIRANË, 16 nëntor/ATSH-Z.Tosku/ Nëpërmjet një skeme fondesh të vëna në dispozicion nga bashkia e Tiranës, banorët e lagjeve mund të organizohen së bashku, nën udhëheqjen e administratorit të pallatit, për të përfituar financim për projekte infrastrukturore, ose një problem të caktuar në komunitetin e tyre.

Pallati i radhës i rehabilituar nga Fondi për Komunitetin ndodhet në rrugën “Fadil Bodinaku”, ku gjysmën e financimit e kontribuan banorët dhe gjysmën tjetër bashkia e Tiranës.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, banorët thanë se ndërhyrjet ishin më se të nevojshme pasi gjendja e pallatit ishte në kushte jo shumë të mira.

“Ndërhyrja që është bërë tek këto pallate është shumë e mirë. Ishte një ndërhyrje që duhej bërë patjetër për cilësinë e këtyre pallateve sepse janë të një viti, diku 1996-1997 dhe patjetër kanë nevojë për ndërhyrje. Ne banojnë tek pallati tjetër dhe ne kemi rënë në tratativa për të bërë të njëjtën gjë siç është bërë më këtë pallat sepse është diçka më se e domosdoshme”, – u shpreh një banore e pallatit.

Po ashtu, një tjetër banore tha se “ndërhyrjet janë shumë të mira. Tani është shumë i pastër, i rregullt dhe banorët e mirëmbajnë. Është ajo shprehja: atje ku është pastër nuk mund të hedhësh një mbeturinë, nëse është pis do të hedhësh mbeturina, kështu që ia vlen. Është thjesht në dorën tonë që ta mirëmbajmë këtë bashkëpunim”.

“Duket ndryshimi sesi ka qenë më përpara dhe si është tani. Edhe nga administratori shumë të kënaqur, është korrekt. Për të gjitha problemet na merr në telefon. Më parë ka qenë pallat shumë i vjetëruar, i shkatërruar pothuajse. Me ndërhyrjen e bashkisë, bashkëpunimi i administratorit, mirëkuptimin e banorëve të pallatit u bë i mundur të rregullohej”, – tha ndër të tjera, një familjare e pallatit të rehabilituar.

“Kjo është gjë e mirë. Shiko sa bukur është bërë këtu”, – përfundoi banorja.

Nga ana e tij, kryetari i Asamblesë së Pallateve, Hamilton Shehi tha për ATSH-në se për përfitimi i fondit nga ana e bashkisë u desh së pari komunikimi me banorët për t’u dakordësuar mbi projektin, çka u pasua më pas edhe me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për të aplikuar për përfitimin e financimit nga bashkia.

“Në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Pallatit, e pamë të nevojshme që ndërtesa jonë ku ne jetojmë kishte nevojë për një rikonstruksion të fasadës. Duke pasur parasysh fushatën që ka ndërmarrë bashkia për fondin për komunitetin, plotësuam të gjitha kushtet e nevojshme nga bashkia duke pajtuar një administrator për pallatin që është i licencuar nga bashkia. Pasi plotësuam të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga bashkia dhe pasi aplikimi ynë rezultoi pozitiv, u miratua fondi i komunitetit i cili është 50% i të gjithë vlerës së investimit të kryer dhe 50% nga banorët. Procedura vijoi si më tej. Ishte sistemi kapot i detyrueshëm për t’u bërë i cili është gjë shumë e mirë për ne sepse kemi benefite të tjera mbi banesën tonë, i rritet vlera, kemi energjinë elektrike që edhe kursejmë sepse i ftohti dhe i ngrohti depërton më pak në ambientet tonë të banimit. Para se të kryhej investimi, pallati ka qenë në gjendje të mjerueshme sepse ndërtimi është afro 30-vjeçar dhe degradohet vetvetiu pasi nuk ka pasur asnjë lloj investimi. Të gjitha procedurat që ndoqëm kishte një konsulencë nga bashkia sesi të plotësonim procedurën e nevojshme”, – theksoi Shehi.

Sipas bashkisë së Tiranës, interesim i jashtëzakonshëm është për ndërtesat para vitit 1991, por edhe atyre të pas vitit 1991. Ajo çka është e rëndësishme për këto projekte, nuk është vetëm pjesa estetike e pallatit por është pjesa e eficiencës së energjisë.

Po ashtu, projektet që kanë përparësi janë ato që kanë të përfshirë: problemin e izolimit të taracave, projekte që përfshijnë rregullimin e territorit dhe pranë pallatit, ndërsa fokusi kryesor mbetet eficienca e energjisë.

Ky program kontribuon në ndërgjegjësimin e komuniteteve përmes administratorëve, duke i dhënë më shumë përgjegjësi menaxhimit të fondeve dhe mirëmbajtjes së ambienteve të përbashkëta. Përmes këtij programi synohet ndryshimi i mentalitetit të bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve publike. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.