U-21/ Shqipëria humb 0-3 ndaj Anglisë në “Loro Boriçi”

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit, grupmosha U-21, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka zhvilluar ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë U-21, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo sfidë zyrtare u mbyll me rezultatin Shqipëri 0-3 Angli.

Në pjesën e parë përballja e kuqezinjve ndaj Anglisë U-21 u mbyll me rezultatin 0-2, me gola të shënuar nga Foden ’22 dhe Gallagher ’43 ndërsa në fraksionin e dytë të lojës djemtë kuqezi kanë tentuar disa herë të gjejnë portën kundërshtare, por ishin anglezët që në minutën e fundit të shtesës shënuan edhe golin e tretë me anë të Nelson.

Djemtë e kombëtares U21 ndodhen në vendin e 4 në grupin C me 5 pikë të grumbulluara në këtë fushatë eliminatoresh për Kampionatin Europian të moshave U21 të vitit 2021./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.