Shpërndanin lëndë narkotike me doza, 2 në pranga

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ – Policia e Tiranës ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza.

Policia e Shteti në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” gjatë dy operacioneve sekuestruan 42 doza me lëndë narkotike kokainë e kanabis, lekë dhe euro të përfituara nga shitja e lëndës narkotike në doza ku në pranga ranë dy të rinj që shpërndanin lëndën narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, “në kuadër të operacionit “Mapo” u arrestua në flagrancë shtetasi: A. Xh., 24 vjeç, Ky shtetas u kap në flagrancë në rrugën “Hamdi Cenoimeri” me doza lënde të dyshuar narkotike kokainë. Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi ku i janë gjetur doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike kokainë e kanabis”.

Policia i sekuestroi këtij shtetasi në cilësinë e provës materiale 3 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 31 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 aparat celular.

Po ashtu, gjatë orëve të fundit, u zhvillua operacioni “Shigjeta 3”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi G. L., 21 vjeç, banues në Rrëshen.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas po lëvizte, policia gjeti 8 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një mjet, një aparat celular, 34 400 lekë të reja dhe 315 euro”, – njofton Policia.

Për të dy shtetasit e arrestuar, materialet iu iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.